Strehimi social, Ibrahimaj: Kredi pa interes e subvencion qiraje për studentët dhe familjet e reja
Projektligji për strehimin social parashikon kredi me interes zero, subvencion qiraje dhe banesa të përballueshme.

Qeveria parashikon zgjerimin e programeve të strehimit social përmes kredive me interes zero, subvencionimit të qirasë dhe krijimit të instrumenteve të reja financiare për familjet, studentët, çiftet e reja dhe profesionistët. Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, prezantoi në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 22/2018, ‘Për strehimin social’, të ndryshuar”, i cili synon zgjerimin e mundësive për strehim të përballueshëm.
Ndryshimet e propozuara parashikojnë kredi për blerjen e banesave me interes zero, mekanizma garancie për financimin e parapagimit, subvencionim të qirasë për studentët dhe profesionistët, si dhe programin e qirasë me të drejtë blerjeje. “Ne kemi vendosur ta zgjerojmë politikën tonë me strehimin e përballueshëm dhe duam që më shumë familje të kenë një mundësi që i përshtatet të ardhurave dhe nevojave të tyre”, u shpreh ministrja Ibrahimaj.
Kredi me interes zero për blerjen e banesave, kësti mujor rreth 17 mijë lekë
Një nga instrumentet kryesore të parashikuara në projektligj është mundësia e përfitimit të kredive për blerjen e banesave me interes zero. Sipas ministres Ibrahimaj, kjo skemë synon të ulë barrën financiare të familjeve që kërkojnë të sigurojnë një banesë, duke reduktuar pagesat mujore të kredisë.
Gjatë prezantimit, ministrja solli shembullin e një kredie prej 6 milionë lekësh, me afat shlyerjeje 30 vjet. Në rastin e një kredie me interes zero, kësti mujor do të ishte rreth 17 mijë lekë, ndërsa për të njëjtën kredi me normë interesi 5%, kësti do të arrinte në rreth 32 mijë lekë në muaj.
“Pra, janë 15.000 lekë në muaj të cilat nuk do të shkojnë për blerjen e një banese, por do të shkojnë më shumë në buxhetin e familjes shqiptare për të përballuar kostot e tjera të jetesës dhe për të përballuar blerjet e produkteve të shportës”, theksoi Ibrahimaj.
Projektligji parashikon gjithashtu mekanizma garancie për financimin e parapagimit të banesës, si një tjetër instrument për të lehtësuar aksesin në financim për kategoritë që synojnë të përfitojnë nga programet e strehimit.
Subvencionim i 50 për qind të qirasë për studentët e masterit dhe profesionistët
Një tjetër masë e parashikuar në ndryshimet ligjore është subvencionimi i qirasë për studentët që ndjekin studimet në nivelin master dhe për profesionistët. Sipas ministres Ibrahimaj, për këto kategori parashikohet mbulimi i gjysmës së qirasë, duke u bazuar në çmimet e miratuara nga këshillat bashkiakë.
Kjo skemë synon të lehtësojë kostot e strehimit për studentët dhe profesionistët, duke krijuar një mundësi shtesë mbështetjeje për kategoritë që përfshihen në program.
Projektligji parashikon edhe programin e qirasë me të drejtë blerjeje. Sipas ministres, përmes këtij mekanizmi, një pjesë e pagesave mujore të qirasë do të llogaritet në uljen e çmimit të blerjes së banesës, duke u mundësuar familjeve të kalojnë gradualisht nga qiramarrja drejt pronësisë.
Krijohet Fondi për Strehimin dhe Kohezionin Social
Ndryshimet e propozuara parashikojnë krijimin e Fondit për Strehimin dhe Kohezionin Social, i cili do të shërbejë si një instrument financiar për mbështetjen e programeve të strehimit.
Sipas ministres Ibrahimaj, në këtë fond do të bashkohen burime financiare nga buxheti i shtetit, sektori privat dhe të ardhura të tjera të ligjshme. Fondi do të financojë programet e strehimit dhe do të mundësojë riinvestimin e të ardhurave të krijuara nga projektet e banimit në zhvillimin e programeve të reja.
Ky mekanizëm parashikohet të mbështesë zgjerimin e programeve të strehimit social dhe të përballueshëm, përmes kombinimit të burimeve publike dhe private të financimit.
Modeli 30-40-30, lagje të integruara me banesa sociale dhe të përballueshme
Një tjetër element i projektligjit është modeli 30-40-30 për ndërtimin e lagjeve të integruara. Sipas këtij modeli, 30% e banesave do t'i dedikohen strehimit social, 40% strehimit të përballueshëm dhe 30% do të jenë për shitje ose qira në tregun e lirë.
Modeli parashikon kombinimin e kategorive të ndryshme të strehimit brenda të njëjtave projekte të zhvillimit të banimit, duke përfshirë banesa sociale, banesa me çmime të përballueshme dhe një pjesë të njësive që do të tregtohen në tregun e lirë.
Mbi 31 mijë familje kanë përfituar nga programet e strehimit social që prej vitit 2018
Duke iu referuar zbatimit të ligjit “Për strehimin social” që prej vitit 2018, ministrja Ibrahimaj bëri të ditur se nga programet ekzistuese kanë përfituar 31 mijë familje shqiptare, ose rreth 100 mijë qytetarë.
Sipas të dhënave të prezantuara prej saj, mbi 14 mijë familje janë mbështetur për pagesën e qirasë, ndërsa mbi 7 mijë familje kanë përfituar kredi të buta për strehim. Gjithashtu, janë ndërtuar mbi 1 mijë banesa sociale dhe janë përmirësuar kushtet e banimit për mbi 6 mijë familje të tjera.
“Do të mbështesim më shumë familje dhe do të krijojmë një mundësi më shumë për familjet e reja, për profesionistët e rinj, me qëllim që ata të zgjedhin dhe të jenë të sigurt për jetesën e tyre në Shqipëri”, u shpreh ministrja Ibrahimaj.
Ende pa afate aplikimi dhe pa një fond të përcaktuar për skemat e reja
Masat për zgjerimin e strehimit social dhe të përballueshëm janë pjesë e ndryshimeve ligjore që po diskutohen në Kuvend. Projektligji parashikon instrumente të reja financiare dhe zgjerimin e kategorive që mund të përfitojnë nga programet e strehimit.
Megjithatë, gjatë prezantimit në komision, ministrja Ibrahimaj nuk bëri të ditura fondet që do të nevojiten për zbatimin e skemave të reja, numrin e përfituesve që parashikohet të mbështeten apo afatet e hapjes së aplikimeve.
Për rrjedhojë, kreditë me interes zero, subvencionimi i qirasë dhe programi i qirasë me të drejtë blerjeje mbeten masa të propozuara në projektligj, ndërsa detajet për zbatimin dhe përfitimin nga këto instrumente nuk janë bërë ende publike.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)